Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi sot pas takimit të liderëve evropianë se prioritet kryesor mbetet mbështetja për Ukrainën dhe rritja e gatishmërisë së mbrojtjes evropiane. Takimi u zhvillua edhe me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Von der Leyen, në një postim në platformën Xm theksoi rëndësinë e sigurimit të mbështetjes financiare për Ukrainën, duke e cilësuar këtë si një veprim thelbësor për mbrojtjen e Evropës dhe përballimin e agresionit rus. Ajo prezantoi gjithashtu propozimin për një “Loan për Reparacione”, i cili përdor asetet e ngrira ruse për të financuar riparimet e dëmeve të luftës, duke rritur kostot për Rusinë për sa kohë që vazhdon agresioni.
Presidentja e Komisionit Evropian nënvizoi se Evropa është përgjegjëse për mbrojtjen e saj, duke vijuar me implementimin e planit për gatishmërinë e mbrojtjes, mobilitetin ushtarak dhe iniciativat pan-evropiane. Ajo shtoi se Ukraina është përfshirë në 15 nga 19 planet e dorëzuara nga shtetet anëtare, duke theksuar se procesi i integrimit të kapaciteteve ushtarake dhe industriale ndihmon në ndërtimin e një mbrojtjeje të fortë.
Von der Leyen kritikoi Rusinë për manipulimin e diplomacisë dhe vazhdimin e sulmeve, ndërsa nënvizoi se agresori dhe viktima janë të qarta: Ukraina është në mbrojtje të sovranitetit të saj, ndërsa Evropa mbetet e bashkuar në vlerat dhe interesat e përbashkëta.
“Rusia synoi të na ndante me luftën e saj brutale, por ka arritur të kundërtën. Marrëdhëniet tona janë më të forta se kurrë. Bashkë, ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe të mbrojmë Evropën”, tha Von der Leyen.









