Foto: Adria TV
Mali i Zi nuk do të jetë në gjendje të mbyllë kapitujt negociues 23 dhe 24 pa rezultate të qarta dhe të matshme, ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Podgoricë, Johan Sattler.
Duke folur në hapjen e Konferencës së 18-të Kombëtare Antikorrupsion, të organizuar nga MANS, Sattler tha se BE ka vërejtur përparim domethënës në Mal të Zi gjatë dy viteve të fundit.
Sattler nënvizoi se korrupsioni është çështje zgjedhjeje, jo fat i pashmangshëm, dhe se asnjë shtet nuk është plotësisht imun ndaj tij.
Ai paralajmëroi se korrupsioni dëmton themelet e demokracisë dhe besimin e qytetarëve, duke shtuar se edhe vendet më të zhvilluara mund të rrënohen nëse institucionet drejtohen nga interesa korruptive.
“Dikur fokusi ishte te ‘peshqit e vegjël’. Kjo tani po ndryshon. Po shohim gjithnjë e më shumë hetime ndaj ‘peshqve të mesëm dhe të mëdhenj’, gjë që është sinjal i rëndësishëm për partnerët evropianë”, u shpreh ai.
Ambasadori vlerësoi se raporti i fundit i Komisionit Evropian ka evidentuar progres të dukshëm në kapitujt 23 dhe 24, të cilët janë vendimtarë për procesin e integrimit.
Ai theksoi se BE pret jo vetëm hetime, por edhe aktakuza dhe dënime të formës së prerë.
“Pa këtë lloj performance, kapitujt 23 dhe 24 nuk mund të mbyllen, dhe procesi i anëtarësimit nuk mund të përfundojë. Megjithatë, Mali i Zi ka bërë progres të rëndësishëm në dy vitet e fundit dhe me mbështetjen e partnerëve evropianë, besojmë se do të arrijë rezultatet e nevojshme”, tha Sattler.










