Foto: Adria TV
Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, deklaroi se NATO ka dëshmuar aftësinë për t’u përshtatur ndaj sfidave të reja dhe arkitekturës së ndryshuar të sigurisë, e cila u krijua pas agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.
Në ditën e parë të vizitës, Krapoviq u takua me ministrin bullgar të mbrojtjes, Atanas Zaprjanov.
Ai falënderoi Bullgarinë për mbështetjen që i jep Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe theksoi se për Podgoricën janë tejet të rëndësishme mesazhet inkurajuese që vijnë nga nivelet më të larta të BE-së lidhur me mundësinë e anëtarësimit deri në vitin 2028.
Krapoviq nënvizoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të NATO-s për zmbrapsje dhe mbrojtje, duke theksuar rolin thelbësor të grupeve shumëkombëshe luftarake, njëra prej të cilave është dislokuar në Bullgari dhe ku merr pjesë edhe kontingjenti i Forcave të Armatosura të Malit të Zi.
Sipas tij, këto struktura janë kyçe për forcimin e krahut lindor të Aleancës.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ministri malazez theksoi se prania e vazhdueshme e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht NATO-s dhe BE-së, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe sigurinë e gjithë hapësirës euroatlantike.
Nga ana e tij, ministri bullgar Zaprjanov vuri në pah rëndësinë strategjike të rajonit të Detit të Zi për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare, duke theksuar nevojën për qasje të unifikuar në përballimin e sfidave të zonës.
Të dy ministrat riafirmuan përkushtimin për zbatimin e vendimeve të Samitit të Hagës dhe u shprehën dakord se rritja graduale e buxhetit të mbrojtjes është thelbësore për forcimin e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së vendeve anëtare të Aleancës.
Gjatë takimit, ata diskutuan edhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe shprehën gatishmërinë për të shtuar përpjekjet në këtë drejtim.










