Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në hapjen e Qendrës Rajonale për Kapacitete Kibernetike, kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se kërcënimet kibernetike po rriten dita-ditës, prandaj është e nevojshme të rritet qëndrueshmëria e shteteve dhe shoqërisë.
Ai tha se me ekspertizën e Francës dhe Sllovenisë, përmes ofrimit të trajnimeve në fushën e sigurisë kibernetike me qëllim të përfshirjes së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të përmirësojmë kapacitetet kibernetike në rajon.
Spajiq mirëpriti miqtë e tij nga Sllovenia dhe Franca.
“Ky projekt i madh është një shembull real i punës së përbashkët të tre vendeve tona për përmirësimin e kapaciteteve kibernetike në Ballkanin Perëndimor, i cili do të sjellë jo vetëm siguri më të madhe në hapësirën kibernetike, por gjithashtu do të dërgojë një mesazh të fortë se ne mund të mbështetemi te miqtë tanë të ngushtë në të gjitha sfidat me të cilat përballemi”, ka theksuar Spajiq.
Ai vlerësoi se Franca dhe Sllovenia janë vërtet me ne, gjë që e tregon edhe bashkëpunimi ynë shumëdimensional në fusha të ndryshme.
“Përveç kësaj, ne jemi aleatë të besueshëm të NATO-s dhe punojmë së bashku për të përmirësuar sigurinë në rajonin më të gjerë euro-atlantik. Më e rëndësishmja, ne ndajmë të njëjtat vlera evropiane dhe besojmë fuqishëm në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane,” tha kryeministri.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, theksoi se krijimi i kësaj qendre është dëshmi e bashkëpunimit efektiv ndërkombëtar.
“Kjo tregon përkushtimin tonë për të ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të mbrojtur për qytetarët tanë. Në një epokë kur kërcënimet kibernetike po bëhen më të sofistikuara dhe më të pranishme, është e domosdoshme që ne ta pajisim këtë rajon me mjetet dhe njohuritë e nevojshme për të luftuar në mënyrë efektive këto sfida,“ tha ajo.