BEÇIQ: ME PROJEKTE TË REJA DREJT BURIMEVE NDËRKOMBËTARE TË FINANCIMIT

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq, tha se detyrimi i Malit të Zi do të jetë të zhvillojë dhe zbatojë plane të integruara kombëtare të energjisë dhe klimës, me bindjen se vendi ynë do t’i kushtojë vëmendje të veçantë zhvillimit të projekteve të reja për të cilat do të jenë të disponueshme burimet e financimit ndërkombëtar, kryesisht fondet e alokuara për Ballkanin Perëndimor përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian. Në emër të presidencës së Malit të Zi me Komunitetin e Energjisë nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2020, Beçiq hapi sot takimin e parë online të Plenumit Parlamentar të Komunitetit të Energjisë. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Beçiq vuri në dukje se takimi i sotëm tregon “gatishmëri të përbashkët si një shtet anëtar për të investuar përpjekje dhe kapacitete në mënyrë që t’u përgjigjen në mënyrë adekuate të gjitha atyre detyrimeve të ndërmarra në bazë të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”. Ai rikujtoi se Plenumi Parlamentar është një platformë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në rrugën e integrimit evropian. “Së pari, sepse u jep mundësinë anëtarëve të parlamenteve kombëtare të dialogojnë për tema që lidhen me kapituj të caktuar negociues, siç janë energjia, mjedisi, konkurrenca, politika rajonale, etj, duke marrë parasysh, natyrisht, specifikat e secilit vend,” theksoi Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq.

SHARE