Kuvendi i Kosovës ka miratuar Deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian (PE) mbi zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, prezantoi pikat e kësaj deklarate parlamentare për të cilin votuan 86 deputetë pro.
Tahiri tha se ky miratim po bëhet në respekt të vlerave demokratike, orientimit euroatlantik të Kosovës dhe duke qenë në linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ai theksoi se Kuvendi vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike të Parlamentit Evropian në lidhje me cenimin e integritetit territorial nga Serbia.
“(Kuvendi) Mbështet fuqishëm thirrjet dhe rekomandimet e PE-së për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit të domosdoshëm ndërkombëtar në lidhje me shpalosjen e rolit dhe përfshirjes së saj, pjesë e së cilës është evidenca që konstaton porositjen, planifikimin, mbështetjen dhe organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023. I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit, pjesëmarrësit e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit si dhe cilido individ apo subjekt që në një forme ka asistuar realizimin e këtij sulmi terrorist”, theksoi Tahiri.
Më tej, Tahiri tha se Kuvendi vlerëson lartë qëndrimet përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, ku po ashtu Kuvendi fton PE-në që të luajë rol edhe me fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë pesë vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Gjithashtu, në këtë deklaratë u tha se vlerësohet lartë kritika që PE-ja i jep qasjes destruktive të Serbisë, po ashtu duke ftuar PE-në të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
PE-ja në një rezolutë më 19 tetor 2023 për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.
Autori dhe nismëtari i kësaj rezolute ishte Tonino Picula, i cili kritikoi vazhdimin e raporteve të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, duke thënë se “kjo seriozisht vë në dyshim orientimin strategjik të Serbisë”.