BRUKSELI PRETENDON SE MALI I ZI MUND T’I PËRFUNDOJË NEGOCIATAT NË MË PAK SE PESË VJET

Mali i Zi ka një shans më se realist për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave në më pak se pesë vjet nëse i përvesh mëngët dhe do të marrë fonde nga fondi i ri i Bashkimit Evropian (BE) vetëm nëse zbaton reforma.

Kështu ka bërë të ditur dje një zyrtar i lartë i BE-së për gazetarët në Bruksel, në një konferencë në Komisionin Evropian (KE) pas prezantimit të raportit për zgjerimin.

Ai pohon se edhe përkundër pengesave në negociatat me BE-në dy vitet e fundit, Mali i Zi është ende lider në integrim sepse, siç tha ai, më parë ka përparuar më shpejt se kandidatët e tjerë për anëtarësim në atë komunitet.

Zyrtari i BE-së tha ndër të tjera se ende nuk është përcaktuar se cilat reforma shtetërore duhet të zbatojnë kandidatët për të tërhequr paratë nga “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” i miratuar dje, me vlerë gjashtë miliardë euro.

Megjithatë, ai sqaroi se paratë, të cilat do të paguhen dy herë në vit, do të lidhen me zbatimin e reformave. Kjo do të thotë se, nëse një vend nuk i përmbush detyrimet e tij, fondet do të ridrejtohen në vendin që i përmbush ato.

KE-ja kritikoi Qeverinë dhe Kuvendin se injoruan rekomandimet e saj dhe të Komisionit të Venecias (KV), i bëri thirrje shtetit që të përmirësojë rezultatet e hetimeve, ndjekjeve penale, gjykimeve përfundimtare dhe konfiskimit të pasurisë në luftën kundër krimit të organizuar, dhe të sigurojë pavarësinë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

SHARE