Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ka një prej mureve mbrojtëse më të mira kibernetike mes vendeve të NATO-s, raporton Anadolu.
Në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë po mbahet Konferenca e 3-të e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama.
Në fjalën e tij, Rama tha se bëhet fjalë për mbrojtjen kibernetike është një ide shumë e mirë që të bëhesh pjesë e qendrës për mbështetjen kundër incidenteve, sipas tij, një nismë e NATO-s për të mbledhur të gjitha vendet, ku Shqipëria është një nga të parat që është bërë pjesë.
“Ne na u desh të përballemi dhe e pamë veten në mes të një sulmi kibernetik mjaft të keq e të gjerë që synoi infrastrukturën tonë digjitale, që është krenaria jonë. Ne kemi investuar në infrastrukturën tonë digjitale për një qëllim shumë të rëndësishëm, në mënyrë që të bëjmë një kapërcim e të lëmë pas krahëve një histori mjaft të rëndë ryshfetesh kudo e për gjithçka”, tha Rama.
Ai u shpreh se kur vjen fjala për infrastrukturën shtetërore qoftë kjo digjitale ose fizike “me krenari jemi mes më të mirëve”.
“Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik në çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Kur behet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. 48 edhe një herë kanë lënë gjurmë por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm”, tha Rama.
– Rutte: Një sulm apo fushatë kibernetike mund të çojë në aktivizimin e Nenit 5
Konferencës iu drejtua me një video-mesazh edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, i cili theksoi se NATO po bëhet çdo ditë më e fortë në botën digjitale.
“Dhjetë vite më parë, kibernetika u shpall një fushe operative. Ne planifikojmë, trajnojmë dhe zhvillojmë operacione duke e përfshirë kibernetikën si pjesë të veprimtarisë sonë ushtarake. Dhe kundërshtarët tanë e dinë se një sulm apo fushatë kibernetike mund të çojë në aktivizimin e Nenit 5”, tha Rutte.
Ai u shpreh se në selinë ushtarake në Belgjikë, po krijojnë Qendrën e Integruar të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s. Rutte shtoi ndër të tjera se konferenca në Tiranë është një forum i shkëlqyer për të ndarë ekspertizën, idetë dhe praktikat më të mira.
“NATO është një aleancë e vlerave të përbashkëta. Dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë një qasje të bazuar mbi norma, të parashikueshme dhe të sigurt për hapësirën kibernetike. Askush nuk qëndron vetëm në NATO. Ne të gjithë qëndrojmë së bashku në këtë epokë digjitale, kundër atyre që duan të na bëjnë dëm”, tha Rutte.
Në konferencë foli edhe asistentsekretari i Përgjithshëm i NATO-s për transformimin kibernetik dhe digjital, Jean Charles Ellermann-Kingombe, i cili theksoi se bëhen bashkë tashmë në nivele teknike, politike dhe ushtarake.
Konferenca dyditore organizohet nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë (AKSK), në bashkëpunim me NATO-n. Pjesë e konferencës janë delegacione nga vendet anëtare të NATO-s, të përfaqësuara nga ministritë e jashtme, të mbrojtjes dhe zyrtarëve të tjerë.
Sipas autoriteteve shqiptare, konferenca konsiderohet si një nga aktivitetet më të rëndësishme të nivelit të lartë që trajton sfidat dhe strategjitë në fushën e mbrojtjes kibernetike në nivel global.