Foto: Vijesti
Në Konferencën “ACE 2025 Best Practice Sharing”, e cila po mbahet në Kotor dhe organizohet nga Oda Ekonomike Amerikane në Mal të Zi, zëvendëskryeministri i Qeverisë dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi se Mali i Zi në vitin 2028 shihet si një anëtar stabil i Bashkimit Evropian, me institucione efikase dhe një klimë të favorshme biznesi.
Ai theksoi se anëtarësimi në BE do të sjellë rritje të investimeve, përmirësim të infrastrukturës, transformim digjital dhe forcim të pozitës ndërkombëtare të vendit.
Gjeloshaj gjithashtu shtoi se po punohet intensivisht për mbylljen e përkohshme të kapitujve 3 dhe 6 në negociatat me BE-në, të cilët janë thelbësorë për krijimin e një ambienti të parashikueshëm dhe të sigurt për investime.
Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësues të 30 odave ekonomike amerikane nga Evropa dhe Euroazia, së bashku me drejtues të komuniteteve më të fuqishme ndërkombëtare të biznesit.
Konferenca organizohet nën ombrellën e rrjetit AmChams in Europe, që përfaqëson interesat e mbi 17.000 kompanive amerikane dhe evropiane në 47 vende dhe punëson mbi 20 milionë persona.