Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi (MPNI) ka kërkuar nga drejtuesit e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme që të kontrollojnë dosjet personale të punonjësve, përfshirë diplomat, provimet profesionale dhe licencat për punë. Drejtuesit duhet të raportojnë brenda 45 ditësh çdo parregullsi të konstatuar dhe hapat e ndërmarrë për t’i zgjidhur. Nga Ministria theksojnë se kjo masë ka për qëllim të parandalojë përdorimin e diplomave të falsifikuara dhe punësimet e paligjshme, duke forcuar besimin në sistemin arsimor. Në dosjen personale të çdo të punësuari duhet të përfshihet diploma, njohja e saj në rast se është marrë jashtë vendit, provimi profesional dhe licenca për punë. Po ashtu, u kujtohet institucioneve që diplomat e marra në ish-republikat e Jugosllavisë njihen automatikisht nëse janë përfituar para shpalljes së pavarësisë së këtyre vendeve. Ndërkohë, Qeveria ka vendosur të pezullojë përkohësisht njohjen e diplomave për qëllime punësimi nga disa institucione të diskutueshme në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe tregti diplomash. Në qershor ka hyrë në fuqi ligji i ri për nostrifikimin e diplomave, që parashikon kushte më të rrepta për njohjen e tyre.