Liderët e tri subjekteve
politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet
parlamentare të mbajtura më 30 gusht, në një konferencë për medie sot kanë
prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të
cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të
njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve
shtetërore të Malit të Zi. Marrëveshja e cila është nënshkruar nga liderët e
koalicionit “Për të ardhmën e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza
mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiqit, Aleksa Beçiqit dhe Dritan Abazoviqit,
kanë deklaruar që Qeveria e re e Malit të Zi:
* Në mënyrë të përgjegjshme do të zbatojë të gjitha obligimet ndërkombëtare që
i ka marrë mbi vete shteti, do të forcojë bashkëpunimin me NATO-n dhe me
përkushtim do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim të plotë
të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
* Do t’i depolitizojë plotësisht institucionet kyçe qeveritare, me qëllim të
luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
* Do të respektojë Kushtetutën e Malit të Zi dhe nuk do të nisë nisma që kanë
për qëllim ndryshimin e flamurit, stemës dhe himnit të shtetit.
* Nuk do të nis procedurë për tërheqjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës;
* Nuk do të hakmerret mbi baza politike apo çfarëdo baze tjetër.
* Do të miratojë dhe rishikojë të gjitha ligjet në përputhje me standardet
evropiane, me qëllim të integrimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në BE.
* Do t’u mundësojë partive të pakicave pjesëmarrjen në qeveri, pavarësisht se a
kanë apo jo status parlamentar.