Kryetari i Alternativës Shqiptare dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj u ka dërguar një kërkesë drejtorëve ekzekutivë të CEDIS dhe EEMZ, Vlladimir Çagjenoviq dhe Nikolla Rovçanin, që të ndalojnë të gjitha sponsorizimet në portalin IN4S, për shkak të, siç thotë ai, mesazheve dhe publikimeve të panumërta shoviniste që ky portal promovon.
Portali IN4S dje publikoi një artikull për liderin e Iniciativës Qytetare Kroate Adrijan Vuksanoviq me një titull fyes si dhe një artikull tjetër për thirrjet e supozuara antiserbe në Ulqin me titull “Šiptarska svinjarija”.
Ai titull është përdorur më parë edhe nga tabloidi famëkeq Informer, i afërt me autoritetet serbe.
“Ju informojmë se sapo u kemi dërguar një kërkesë drejtorëve ekzekutivë të CEDIS dhe EEMZ Çagjenoviq dhe Rovçanin që të ndërpriten të gjitha sponsorizimet në portalin IN4S. Kjo është një përgatitje për t’iu drejtuar edhe institucioneve të tjera shtetërore deri në mbylljen perfundimtare të këtij kuazi portali. Ne premtojmë që ky portal do të perfundojë në copa ashtu si fjalori i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi. Rasti i djeshem përfaqëson një nga fyerjet më vullgare që i është bërë një populli autokton të këtij vendi. Si një shtet që aspiron të jëtë anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian, këto targetime primitive në baza kombëtare dhe fetare janë të papranueshme. Shpresojmë që kompanitë në fjalë të respektojnë parimet bazë të qytetërimit të shekullit të 21-të dhe të mos marrin pjesë në sponsorizime të tilla,“ theksoi Gjeloshaj.