SPAJIQ MBËSHTETI NISMËN PËR PJESËMARRJE MË TË MADHE TË GRAVE NË POLITIKË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, në një adresim përpara Komisionit për Barazi Gjinore, i cili po shqyrton nismën për rritjen e kuotës për gjininë më pak të përfaqësuar nga 30% në 40% në ligjin zgjedhor, me detyrimin që ndër çdo tre kandidatë në listat zgjedhore të jetë të paktën një përfaqësues i gjinisë më pak të përfaqësuar, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë.

“Absolutisht e mbështes rritjen e kuotës për gjininë më pak të përfaqësuar nga 30% në 40% në ligjin zgjedhor”, u shpreh kryeministri në një video-mesazh drejtuar kryetares, anëtarëve dhe anëtareve të Komisionit.

Spajiq tha se është i bindur se Lëvizja “Evropa Tani” këtë tashmë e jeton, duke pasur parasysh që 40% e përbërjes ministrore të kësaj lëvizjeje në Qeveri janë gra, të cilat, siç theksoi ai, i udhëheqin dikasteret e tyre edhe më mirë se kolegët e tyre burra.

“Përmes kësaj nisme, duam të hapim hapësirë shtesë që potenciali deri më tani i lënë pas dore të mund të shfaqet plotësisht në krijimin e politikave publike dhe në udhëheqjen e vendit tonë,” theksoi ai.

Spajiq tha se është veçanërisht e rëndësishme që Parlamenti të bëjë këtë hap përpara, duke treguar forcën e të gjithë shoqërisë për të kapërcyer stereotipet dhe për t’u orientuar drejt standardeve më të larta evropiane dhe botërore.

SHARE