MILLATOVIQ: INTEGRIMI NË BE PRIORITET, MALI I ZI SYNON ANËTARËSIMIN DERI NË VITIN 2028

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se integrimi evropian është prioritet kombëtar dhe se vendi duhet të përmbyllë të gjitha kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian deri në vitin 2026, me qëllim që të bëhet anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2028.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me delegacionin e deputetëve të Unionit Kristian-Demokrat (CDU) nga landa gjermane Saksoni-Anhalt, të kryesuar nga ministrja e Brendshme dhe e Sportit, Tamara Zieschang. Vizita u realizua në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer.

Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që CDU dhe Fondacioni Konrad Adenauer i japin perspektivës evropiane të Malit të Zi dhe të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se integrimi evropian është një konsensus i gjerë shoqëror që bashkon aktorët politikë dhe qytetarët dhe se Mali i Zi duhet të jetë çdo ditë më i mirë dhe më i fortë, duke u udhëhequr nga vlerat evropiane.

Një shtysë shtesë për reformat, sipas tij, është edhe fakti që Mali i Zi do të jetë mikpritës i Samitit BE–Ballkani Perëndimor në vitin 2026, që përbën një mundësi për të dëshmuar gatishmërinë për anëtarësim në BE me rezultate konkrete. 

SHARE