KUVENDI I KOSOVËS MBETET I PAKONSTITUUAR EDHE PAS PËRPJEKJES SË 44-të

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar serinë e dështimeve për konstituim për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për të proceduar përpara deri në emërimin e kryetarit të ri të këtij institucioni legjislativ. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit “ad-hoc” për votimin e fshehtë të pozitës së kryetarit të Kuvendit, por, të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision. Nga 101 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 55 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati, për të shënuar dështimin e 44-të me radhë në konstituimin e Kuvendit. “Nuk ka kuorum sërish, për sot ndërpritet seanca, shihemi më 11 korrik në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Dehari.

SHARE