HAPET LINJA DETARE TIVAR-ANKONA

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Transportit Detar të Malit të Zi, Filip Radulloviq, njoftoi se është vendosur linja e re detare Tivar-Ankona, e cila do të operojë 2 deri në 3 herë në javë deri në mes të shtatorit.

Ai theksoi se kjo linjë do të përmirësojë ndjeshëm lidhjen midis Malit të Zi dhe Italisë dhe se është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për zhvillimin e transportit detar.

Kjo është linja e katërt detare që hapet këtë sezon, pas linjave Budva–Dubrovnik, Kotorr-Dubrovnik dhe Tivar–Bari (e cila do të funksionojë një herë në javë deri në fund të gushtit).

Radulloviq  njoftoi se do të ketë disa rregullime në oraret e lundrimeve gjatë korrikut për shkak të problemeve operacionale me kompaninë “Jadrolinija”.

Drejtori ekzekutiv Boris Mihailloviq, tha se rikthimi i bashkëpunimit me Ankonën është rezultat i suksesit të vitit të kaluar dhe se këtë vit pritet një numër edhe më i madh udhëtarësh, automjetesh dhe kamionësh.

Gjatë ceremonisë së hapjes së linjës Tivar–Ankona, ministri Radulloviq theksoi se zhvillimi i linjave të reja detare është i rëndësishëm si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ekonominë kombëtare të Malit të Zi.

SHARE