BEGAJ: REZOLUTA E FUNDIT E PE-së PËRFAQËSON NJË MBËSHTETJE PËR SHQIPËRINË

Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar sot në seancë plenare raportin mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024. Raportohet se eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përshëndetur vendimin e Parlamentit Evropian pas miratimit të rezolutës mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023-2024. “Rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian mbi Shqipërinë përfaqëson një konfirmim dhe mbështetje të fortë për vendin tim. Ajo do të nxisë më tej përpjekjet tona për reforma drejt anëtarësimit në BE. Është koha të tregojmë mirënjohjen tonë përmes veprimeve konkrete dhe bashkëpunimit parlamentar në çdo aspekt të rezolutës”, ka shkruar në rrjetet sociale Begaj. Gjithashtu raportohet se raporti u kërkon autoriteteve të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur pavarësinë gjyqësore dhe për të rritur llogaridhënien.

SHARE