Skuadra e cila për herë të parë merr pjesë në gara ndërkombëtare, KF Deçiq, ka zhvilluar ndeshjen e parë në raundin e parë kualifikues në Conference League, me skuadrën gjilanase, nënkampionën e Kosovës, Drita. Ndeshja është zhvilluar në ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Drita ka shënuar fitore në debutimin në Conference League ndaj Deçiqit. Nënkampioni i Kosovës fitoi me rezultat të ngushtë 2 – 1. Fillimisht, Deçiq kaloi në epërsi përmes lojtarit Ilir Camaj qysh pas tre minutave lojë. Por, Drita u këndell shpejtë duke barazuar përmes Almir Ajzeraj (11′), rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Në pjesën e dytë, ishte Marko Simonovski që realizoi golin e fitores nga afërsia (79′), rezultat me të cilin u mbyll ndeshja. Në minutën e 80-të, kapiteni i KF Deçiq, Jonathan Dreshaj, u ndëshkua me karton të kuq, kështu që Deçiqi mbeti me një lojtarë më pak, në pjesën tjetër të lojës. Ndërkohë, ndeshja kthyese zhvillohet në javën e ardhshme, më 15 korrik. në Podgoricë. Me këtë rast, KF Deçiq përmes rrjetit social “Facebook” ka njoftuar të gjithë tifozet se shitja e biletave për ndeshjen e kthimit në kuader të UEFA Conference League kundër Dritës së Gjilanit do të fillojë prej ditës së Shtunë më 10.07.2021. “Biletat do të shiten në qënder të Tuzit në shtandin që kemi vendosur dhe ata prej ores 08:00 – 12:00 dhe prej ores 17:00 – 21:00,” thuhet në njoftim. Siç theksojnë ata, për arsye se biletat duhen të jenë të personalizuara të interesuarit duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim ose pasaportë, ku një person mund të marrë më së shumti 5 bileta (nënkuptohet edhe ato duhet të jenë të përcjellura me letërnoftim apo pasaportë).
Çmimet e biletave janë:
– Sektori JUG dhe VERI 5,00 euro
– Sektori LINDJE dhe PËRËNDIM A, F 8,00 euro
– Sektori PËRËNDIM B, C, D, E 10,00 euro
– Sektori PËRËNDIM VIP A , B 15,00 euro
Për shkak të numrit të kufizuar të biletave nga organet e UEFA-a luten që të interesuarit me kohë ti sigurojnë ato.