Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, nënshkroi dekretin për shpalljen e Ligjit për miratimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilin deputetët e miratuan përsëri në seancën e Kuvendit më 3 qershor.
“Presidenti me keqardhje konstatoi se, pavarësisht që e kishte kthyer Ligjin me argumente të qarta, deputetët e shumicës qeverisëse në Kuvendin e Malit të Zi vunë interesat e qytetarëve në plan të dytë kur e miratuan përsëri këtë marrëveshje. Presidenti e konsideron detyrë të tij të theksojë edhe njëherë se kjo marrëveshje, në formën në të cilën është miratuar, është e dëmshme juridikisht dhe politikisht për interesat e shtetit,” njoftoi kabineti i Millatoviqit.
Sipas tij, marrëveshja është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën dhe legjislacionin e Malit të Zi.
“Ajo pezullon rregulloret kyçe vendore, përfshirë ato për prokurimet publike, pronën shtetërore dhe mbrojtjen e konkurrencës. Këto probleme janë theksuar nga shumë ekspertë ligjorë, përfaqësues të sektorit civil, organizata ndërkombëtare dhe vetë Komisioni Evropian. Me këtë qasje, degradohet kuadri ligjor që duhet të garantojë mbrojtjen e interesit publik, transparencën dhe barazinë e të gjithë investitorëve në treg. Kjo hap hapësirë për marrëveshje jo transparente që mund të kenë pasoja negative afatgjata për shtetin,” thuhet në njoftim.
Millatoviq thotë se “për të gjitha pasojat e kësaj marrëveshjeje do të mbajnë përgjegjësi ata që votuan për miratimin e saj.”
Presidenti i Malit të Zi, nga pozicioni që mban, do të vazhdojë të mbrojë në mënyrë të palëkundur rendin kushtetues, interesin publik dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi çështjet strategjike që përcaktojnë të ardhmen e Malit të Zi.