Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të përdorë një fjalim në Londër të hënën për të thënë se aleanca ushtarake ka nevojë për një rritje prej 400% në mbrojtjen ajrore dhe raketore, një nga prioritetet për një samit të anëtarëve në Hagë më vonë këtë muaj.
Rutte po nxit anëtarët të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së dhe të angazhohen për një shtesë prej 1.5% për shpenzime më të gjera që lidhen me sigurinë për të përmbushur kërkesën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për një objektiv prej 5%.
Muajin e kaluar, ai tha se supozonte se ky objektiv do të miratohej në samitin e 24-25 qershorit.
Rutte do të argumentojë në një fjalim në qendrën Chatham House në Londër se që NATO të ruajë fuqinë dhe të garantojë mbrojtje të besueshme, ajo ka nevojë për “një rritje prej 400% në mbrojtjen ajrore dhe raketore”.
“Ne shohim në Ukrainë se si Rusia përhap terror nga qielli, kështu që ne do të forcojmë mburojën që mbron qiellin tonë”, do të thotë ai, sipas përmbledhjes së fjalimit të tij të ofruar nga zyra e tij.
“Fakti është se na duhet një hap i madh në mbrojtjen tonë kolektive. Fakti është se duhet të kemi më shumë forca dhe aftësi për të zbatuar plotësisht planet tona të mbrojtjes. Fakti është se rreziku nuk do të zhduket as kur të mbarojë lufta në Ukrainë”.
Ndërkohë që lufta e rusisë në Ukrainë nuk po ndalet, pavarësisht thirrjeve për armëpushim, vendet evropiane janë nën presion për të rritur shpenzimet e mbrojtjes pasi Trump sinjalizoi një ndryshim në politikë, duke shtyrë që rajoni të mbrohet më mirë.
Disa vende thonë se po e bëjnë këtë, me Britaninë e madhe që premtoi një rritje nga 2.3% në 2.5% të PBB-së deri në vitin 2027 dhe 3% të PBB-së në një kohë të mëvonshme.
Gjermania në anën tjetër ka thënë se do të ketë nevojë për afërsisht 50,000 deri në 60,000 ushtarë aktivë shtesë sipas objektivave të reja të NATO-s.