DËSHTON EDHE PËRPJEKJA E 29-të PËR KONSTITUIMIN E KUVENDIT TË KOSOVËS

Janë shënuar gjithsej 29 përpjekje të dështuara për konstituimin e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përpos grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e një komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.

“Ndërpritet seanca dhe vijmë më 11 qershor në orën 11:00”, tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.

Kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se kjo tashmë nuk është politikë por tendencë për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

PDK-ja vazhdimisht ka kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidatin për kryetare të Kuvendit, por nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

SHARE