VARHELYI: KONTESTI MES SHKUPIT E SOFJES ‘FRUSTRON’ BE-në

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, deklaroi të enjten në Sofje se blloku është “shumë i frustruar” për shkak të mosgjetjes së një zgjidhjeje mes Sofjes dhe Shkupit për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Pas takimit me kryeministrin bullgar, Kiril Petkov, komisionari Varhelyi tha se është në Bullgari për të katërtën herë në gjashtë muajt e fundit për të kërkuar zgjidhje për kontestin, në mënyrë që të mund të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut evropian. Ai tha se BE-ja ende beson se mund të gjendet një zgjidhje në muajin qershor dhe se për këtë pret mbështetjen e Bullgarisë. Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. “Ende nuk ka zgjidhje, gjë që është shumë frustruese për ne, sepse nuk mund të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit. Unë jam ende në pritje të mbështetjes nga Bullgaria dhe jemi duke punuar për të gjitha këto bisedime që i kam këtu në Sofje, si dhe rregullisht në Shkup, për të qartësuar dhe forcuar përfundimisht perspektivën evropiane për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Samiti i Këshillit Evropian, në qershor, është i rëndësishëm dhe ne dëshirojmë të shohim një marrëveshje të arritur”, ka deklaruar Varhelyi, sipas agjencisë bullgare të lajmeve, BGNES. Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov deklaroi, të enjten në Sofje, se i konsideron të rreme informacionet se dëshiron të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

SHARE