GJUROVIQ: LIGJET SISTEMATIKE DUHET TË MIRATOHEN NGA SHUMICA E RE PARLAMENTARE

Ligjet sistematike duhet të miratohen nga shumica e re parlamentare, tha kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq, duke deklaruar se pret që presidenti i sapozgjedhur Jakov Millatoviq t’i nënshkruajë ligjet në pritje të shpalljes menjëherë pas marrjes së detyrës.

E pyetur për të komentuar qëndrimin e Frontit Demokratik (FD) se Kuvendi nuk duhet të punojë me intensitetin aktual, Gjuroviq kujtoi se presidenti aktual Millo Gjukanoviq ka nxjerrë një dekret për shpërndarjen e Parlamentit, të cilin ajo, ashtu si shumica parlamentare, e konsideron antikushtetuese.

Ajo kujtoi se e kishte thirrur seancën e Kuvendit që ishte caktuar para se Gjukanoviq të jepte dekretin dhe shpalli zgjedhjet, në rendin e ditës të të cilave kishte disa pika.

“Në atë seancë ishte ratifikimi i ligjeve të rëndësishme nga fusha e detyrimeve sipas procesit të Berlinit. E konsiderova të rëndësishme që të diskutohej dhe Parlamenti i miratoi, kështu e dëshmuam përkushtimin tonë në rrugën drejt BE-së”, tha Gjuroviq.

Ajo shtoi se këto ligje tani presin që presidenti t’i shpallë ato. Ajo theksoi se përkundër të gjitha sfidave në periudhën e fundit, Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj vlerave evropiane.

“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat gjatë rrugës. Pres që pas të gjitha ngjarjeve të sigurojmë stabilitet politik që do të na ndihmojë të gjejmë përgjigje adekuate për të vazhduar rrugën e reformave”, tha Gjuroviq.

Sipas saj, Mali i Zi është shumë konsistent në respektimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian (BE) dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

SHARE