Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Gurthemeli për ndërtimin e një kopshti të ri, me vlerë rreth tre milionë euro, është vendosur sot në Ulqin.
Siç është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, me këtë është zyrtarizuar fillimi i punimeve në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për banorët më të rinj të kësaj komune.
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, theksoi vazhdimësinë në zgjidhjen e çështjes së kapaciteteve parashkollore.
“Pas fillimit të ndërtimit të kopshtit në Tivar dhe Nikshiq, në radhë ka ardhur edhe Ulqini. Sot vendosim gurthemelin për një objekt bashkëkohor dhe funksional me vlerë 2.911.105,95€ me TVSH, ndërsa projekti realizohet në bashkëpunim me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës. Hapi i radhës është kopshti në Beranë, për ndërtimin e të cilit së fundmi është hapur procedura dhe është shpallur tenderi për kryerjen e punimeve. Në periudhën e ardhshme do t’i kushtojmë vëmendje të madhe përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës arsimore në fushën e edukimit parashkollor, përmes ndërtimit të objekteve të reja dhe rikonstruksionit të atyre ekzistuese, në mënyrë që të sigurojmë kushte sa më të mira për qëndrimin e fëmijëve në të gjitha pjesët e Malit të Zi”, deklaroi Jakshiq-Stojanoviq.
Ministrja e Punëve Publike, Majda Axhoviq, theksoi se ky moment ka një simbolikë të veçantë.
“Sot nuk vendosim vetëm gurthemelin e një objekti, sot vendosim themelin e së ardhmes, shpresës dhe përgjegjësisë ndaj atyre për të cilët gjithçka që bëjmë ka kuptimin e plotë, fëmijëve tanë. Një vend ku mësohet besimi, ndarja dhe bashkëjetesa, vlera që zgjasin gjithë jetën. Çdo investim tek më të rinjtë nuk është vetëm investim në të tashmen, por në të ardhmen që e formësojmë së bashku sepse duke ndërtuar projekte të tilla, ne po ndërtojmë edhe Malin e Zi”, theksoi Axhoviq.
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, tha se investimi në arsimin parashkollor është një nga investimet më të rëndësishme për të ardhmen e shoqërisë sonë.
“Me ndërtimin e kopshtit në Ulqin, ne konfirmojmë përkushtimin ndaj projekteve që sjellin përfitime afatgjata dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Ministria e Financave do të vazhdojë të sigurojë mjete për nisma që krijojnë themele të qëndrueshme për zhvillimin e begatë të Malit të Zi”, deklaroi Vukoviq.
Kryetari i komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, shprehu kënaqësinë për fillimin e realizimit të këtij projekti.
“Fillimi i ndërtimit të këtij kopshti është dëshmi se me forca të përbashkëta të vetëqeverisjes lokale dhe Qeverisë mund të zgjidhim në mënyrë efikase sfidat infrastrukturore shumëdekadëshe në qytetin tonë. Komuna ka ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme logjistike dhe do të vazhdojmë të jemi partner i besueshëm në të gjitha projektet që kontribuojnë për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë dhe kushte më cilësore për punën e mësimdhënësve tanë”, tha ai.
Ndërtimi i kopshtit në Ulqin është pjesë e një plani më të gjerë për përmirësimin e sistemit arsimor dhe edukativ, me theks të veçantë në sigurimin e kapaciteteve të mjaftueshme hapësinore në komunat ku ka një trend të rritjes së numrit të fëmijëve të moshës parashkollore.









