PRESIDENTJA OSMANI: KUSHTETUTA, KONTRATA JONË E PËRBASHKËT PËR NJË SHOQËRI DEMOKRATIKE

Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se sot shënohet një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore, miratimi i Kushtetutës që më 9 prill 2008 vuri themelet juridike dhe institucionale të shtetit të pavarur të Kosovës, transmeton Anadolu.

“Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë. Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve”, shkroi Osmani.

Osmani tha se në Ditën e Kushtetutës, riafirmohet përkushtimi për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim.

“Vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve të vet me dinjitet dhe drejtësi”, theksoi Osmani.

Presidentja kosovare tha se një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij.

Kushtetuta e Kosovës ka 14 kapituj dhe 162 nene. Në përkufizim të shtetit ajo thekson se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm dhe se nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti apo pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet apo pjesë të ndonjë shteti.

Që nga viti 2008, 9 prilli shënohet si festë zyrtare në Kosovë.

SHARE