LËVIZJA VETËVENDOSJE E DËRGON NË KUSHTETUESE DEKRETIN E OSMANIT, PRESIDENCA PRET VENDIMIN

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa Presidenca njoftoi se po e pret vendimin e gjykatës më të lartë të vendit para se të vendosë të shpallë apo jo datën për zgjedhjet e reja.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi në Facebook të hënën se krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, i kanë kërkuar Gjykatës ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit”, shkroi ajo.

Osmani e nxori më 6 mars dekretin për ta shpërndarë Kuvendin, gjë që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse është në pritje të vendimit të Kushtetueses, tha të hënën këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha ai.

Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Nagavci argumentoi se roli i presidentit në këtë proces “është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Më tej, Nagavci shtoi se “përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”.

SHARE