HAXHIU: NUK MUND TË THËRRAS SEANCË, DEKRETI I OSMANIT ËSHTË JOKUSHTETUES

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përsëritur të hënën se beson që dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin është jokushtetues dhe që përderisa të mos ketë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk mund të thërrasë seancë.

“Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë… vendimi i presidentes për të shpërndarë Kuvendin për mua ka qenë befasi, sepse është jokushtetues, është i ngutshëm dhe si i tillë do ta kundërshtoj edhe si kryetare e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu i ka bërë thirrje të hënën Gjykatës Kushtetuese që të dalë me një vendim sa më shpejt, meqë sipas saj, “pasojat mund të jenë të pariparueshme”.

“Thërras Gjykatën Kushtetuese, pa dashur që të kuptohet si ndërhyrje, por situatat aktuale janë të tilla që nevojitet vigjilencë, vëmendje, shpejtësi, profesionalizëm nga ana e Gjykatës Kushteutese dhe thërras që të gjithë ta lënë Gjykatën Kushtetuese që ta bëjë punën e saj, sepse jam e bindur që në rrethana të tilla Gjykata mund të vendoset në presione nga kushdo, prandaj është e rëndësishme që ajo ta bëjë punën sa më profesionale dhe sa më shpejt, sepse është e rëndësishme që Kuvendi të vazhdojë punën”.

SHARE