Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Ministrat e miratuan këtë vendim “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.
“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“, ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.
Kjo praktikë zbatohet në të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë në zonën Schengen të Bashkimit Evropian pa regjim vizash.
“Përjashtimi për detyrimin për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian i Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) apo prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme“, tha Malmer Stenegard.
Sipas saj rregullat e reja duhet tash të miratohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhen dhe botohen në gazeten zyrtare të Bashkimit Evropian.
“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e migracionit dhe sigurinë dhe për të përshtatur politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi ynë në këtë fushë do të vazhdojë“, ka thënë ministrja e Suedisë, vendi i cili e ka kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian.