OSMANI: RRUGA E KOSOVËS DREJT BE-së DHE NATO-s ËSHTË E PANDALSHME

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian është i pandalshëm, pavarësisht vështirësive dhe pengesave politike.

Në një intervistë për median britanike “Monocle”, Osmani theksoi se për shtete të vogla si Kosova, diplomacia shumëpalëshe është jetike, pasi nuk ka mundësi të jetë fizikisht e pranishme në çdo vend të botës.

“Shumica e angazhimit tonë zhvillohet brenda Evropës, sepse vizitat individuale në çdo vend do të kërkonin shumë kohë”, tha ajo.

Ajo kujtoi genocidin që Kosova ka përjetuar dhe vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara si ekzistenciale.

“SHBA-të udhëhoqën botën për të na shpëtuar dhe për të na dhënë mundësinë të jetojmë të lirë dhe të gëzojmë demokracinë. Kosova është gjithashtu një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme amerikane, me kontribut edhe nga Britania e Madhe dhe vendet e BE-së”, tha Osmani.

Ajo bëri të ditur se Kosova po punon ngushtë me administratën amerikane për të zgjeruar bashkëpunimin përtej diplomacisë tradicionale, me fokus në mbrojtje dhe ekonomi.

“Në fushën e mbrojtjes kemi mbështetje të madhe nga SHBA-të, pasi rajoni ynë është i ndjeshëm. Në ekonomi po punojmë për të zgjeruar bashkëpunimin dhe investimet. Përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë kemi qasje në tregun evropian dhe ofrojmë kushte të favorshme për bizneset amerikane”, shtoi ajo.

Osmani foli gjithashtu për sfidat e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke përmendur vonesat në liberalizimin e vizave dhe mungesën e statusit të vendit kandidat, pavarësisht përmbushjes së kushteve dhe vlerësimeve pozitive nga raportet e BE-së.

Megjithatë, ajo siguroi se durimi i Kosovës nuk do të shterojë dhe që vendi do të qëndrojë në vlerat euro-atlantike, pjesë e identitetit historik të shtetit dhe popullit.

SHARE