UNICEF do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Qeverinë në programet për të drejtat e fëmijëve, u njoftua në takimin e zëvendëskryeministrit për Demografi dhe Rininë, Dragosllav Shqekiq, me shefin e zyrës përfaqësuese në Mal të Zi, Juan Santader.
Arsyet e takimit ishin organizimi i Konferencës për Shtëpinë e Fëmijëve, nikoqire e së cilës do të jetë Mali i Zi, si dhe formimi i Këshillit për të Drejtat e Fëmijës, i kryesuar nga Shqekiq, vlerësimi i Strategjisë për Rininë 19-23 dhe zhvillimi i një Strategjie të re për Sportin.
“Si kryetar i Këshillit për të Drejtat e Fëmijëve, kam obligim shtesë të luftoj për të drejtat dhe barazinë e të gjithë fëmijëve në Mal të Zi. Fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe krijimi i kushteve të favorshme për ekzistencën e tyre është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie dhe për mua si zëvendëskryeministër për Demografi dhe Rininë. Unë i shoh kolegët e UNICEF-it, si luftëtarë të vërtetë për të drejtat e fëmijëve në mbarë botën, si partnerët më të afërt në përmbushjen e qëllimeve tona,” tha Shqekiq.
Santander tha se UNICEF do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për Këshillin Qeveritar për të Drejtat e Fëmijëve në mënyrë që të përshpejtojë reformat për fëmijët në fushat e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, policisë dhe drejtësisë përmes koordinimit shumë-sektorial.
“Për të arritur ndryshime të qëndrueshme dhe pozitive në jetën e të gjithë fëmijëve në Mal të Zi, është thelbësore që Qeveria të sigurojë që punonjësit në sektorë të ndryshëm të kenë mbështetje të vazhdueshme për të fituar njohuritë dhe aftësitë e nevojshme, fonde të mjaftueshme nga buxheti i shtetit të investohen në shërbime për fëmijët dhe familjet dhe të ketë një sistem llogaridhënieje të të gjithë punonjësve për punën e tyre. Këshilli për të Drejtat e Fëmijëve mund ta mbështesë këtë proces”, tha Santander.
Ai shtoi se UNICEF do të vazhdojë të bashkëpunojë me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë për t’i dhënë mundësinë çdo fëmije të merret me sport në shkollë.