BEGAJ TAKON PEACH, VLERËSON VEMENDJEN E QEVERISË BRITANIKE PËR BALLKANIN

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj vlerësoi vëmendjen e madhe që qeveria britanike i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përshëndeti rolin e Lord Peach në promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe mbështetjen për adresimin e sfidave të lidhura me sigurinë. Lidhur me zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, Presidenti Begaj nënvizoi faktin se rajoni po kalon momente të vështira sa i përket paqes dhe sigurisë, të ndikuara edhe nga influenca ruse tek disa prej aktorëve rajonalë. Duke u ndalur tek dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Begaj, vlerësoi vullnetin e demonstruar së fundmi nga autoritetet e Kosovës për të mirëpritur propozimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe nënvizoi domosdoshmërinë e arritjes sa më parë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të zbatueshme mes palëve. Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e madhe që ka ruajtja e unitetit, solidaritetit dhe kohezionit mes vendeve anëtare të NATO-s në përballimin e efekteve të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe influencave ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të dy bashkëbiseduesit u ndalën tek përgatitjet e vendit për zgjedhjet e ardhshme vendore, të dates 14 maj të këtij viti, tek angazhimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin shumë të rëndësishëm me agjencitë respektive të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë edhe në kuadër të sigurisë kibernetike. Nga ana e tij Lord Peach nënvizoi interesin dhe vëmendjen e shtuar të Qeverisë britanike për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë si vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht lidhur me agresionin në Ukrainë.

SHARE