QINDRA MIJËRA MBESIN PA RRYMË, TEKSA STUHIA GORETTI GODET EVROPËN

Stuhia e fuqishme “Goretti” ka përfshirë Evropën Veriore, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike, dëme materiale dhe reshje intensive bore.

Në Francë, rreth 380.000 familje mbetën pa rrymë, kryesisht në rajonin verior të Normandisë, ndërsa erëra në rajonin e Mançës arritën deri në 216 km/orë.

Stuhia ka rrëzuar pemë dhe ka dëmtuar ndërtesa, megjithëse nuk raportohet për të lënduar. Shkollat në veri të Francës janë mbyllur, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të përgatiten me furnizime të nevojshme.

Në Britani, stuhia ka shkaktuar erëra deri në 160 km/orë dhe valë të rrezikshme detare, me reshje bore deri në 30 cm në disa zona të Uellsit, Anglisë Qendrore dhe veriut të Anglisë. T

rafiku hekurudhor dhe transporti publik janë ndikuar, duke sjellë vonesa dhe anulime, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për shmangie të udhëtimeve të panevojshme. Shkollat mbeten të mbyllura në disa rajone, ndërsa qytetarët paralajmërohen të mos përdorin rrugët e bllokuara.

Edhe në Gjermani, stuhia ka sjellë reshje bore dhe erëra të forta, duke prekur shkollat, spitalet dhe transportin. Në veri priten deri në 15 cm borë, ndërsa në jug ekziston rreziku i ngricave, me temperatura që gjatë fundjavës mund të bien deri në -20°C.

Kompania hekurudhore Deutsche Bahn ka mobilizuar mbi 14.000 punonjës për pastrimin e borës dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Përveç dëmeve materiale, stuhia ka shkaktuar të paktën tetë viktima në Evropë.

SHARE