Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë i Malit të Zi, Damir Gutiq, njoftoi se Instituti për vlerësimin unik të invaliditetit do të nisë punën më 1 korrik.
Ky institucion synon të përmirësojë pozitën e personave me aftësi të kufizuara dhe t’u sigurojë atyre mbështetje të drejtë dhe të barabartë në shoqëri, bazuar në shkallën e funksionalitetit dhe pengesat me të cilat përballen.
Gutiq theksoi se gjatë vitit të kaluar janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën e politikave sociale, përfshirë miratimin e tri strategjive kyçe dhe Ligjin për vlerësimin unik të invaliditetit, i cili sjell risi të rëndësishme.
Instituti do të jetë i vendosur në Podgoricë, me staf të përhershëm dhe mundësi angazhimi të ekspertëve shtesë sipas nevojës.
Ministria ka përgatitur gjithashtu një ligj të ri për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, i cili synon përmirësimin e shërbimeve, forcimin e lidhjes mes grupeve të margjinalizuara dhe tregut të punës, si dhe parandalimin e abuzimeve me përfitimet sociale.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet lehtësimit të punës së qendrave për punë sociale, të cilat aktualisht janë të mbingarkuara. Po ashtu, është planifikuar hapja e institucioneve të reja, përfshirë qendrën për kujdestari familjare, shtëpinë për fëmijët viktima të dhunës (modeli Barnahus), një qendër krizash për gratë viktima të dhunës dhe zgjerimi i kapaciteteve të shtëpive për të moshuarit.
Ministri shprehu optimizëm se reformat e planifikuara do të përmirësojnë ndjeshëm sistemin e mbrojtjes sociale dhe do të sigurojnë mbështetje më efikase për qytetarët që kanë më shumë nevojë.









