GORÇEVIQ: MBYLLJA E KAPITUJVE NË VITIN 2026 KËRKON MBËSHTETJEN E TË GJITHA 27 VENDEVE ANËTARE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaron se edhe pse vendi ka arritur përparim të madh në integrimet evropiane gjatë vitit të kaluar, mbyllja e 21 kapitujve negociues në vitin 2026 do të jetë një sfidë e madhe.

Ajo beson se deri në fund të vitit Mali i Zi do të jetë teknikisht i gatshëm, ndërsa mbështetja e qartë e Bashkimit Evropian përbën një shtysë shtesë. Pas mbylljes së gjashtë kapitujve gjatë vitit 2025, Mali i Zi është më afër se kurrë anëtarësimit në BE.

Megjithatë, përveç përmbushjes së reformave, thelbësore mbetet mbështetja politike dhe ratifikimi nga parlamentet e të 27 shteteve anëtare.

Gorçeviq thekson se vendi duhet të dërgojë mesazh stabiliteti politik dhe serioziteti përmes reformave dhe harmonizimit ligjor. Në vitin 2026 priten disa konferenca ndërqeveritare dhe mbyllja teknike e të gjithë kapitujve të mbetur.

Kuvendi ka miratuar dhjetëra ligje në fund të vitit 2025, shumica e të cilave lidhen drejtpërdrejt me agjendën reformuese dhe mbylljen e kapitujve.

Sa i përket kapitullit 31, i cili lidhet me politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe është bllokuar nga Kroacia, ministrja shpreh besim se përmes dialogut çështja do të zgjidhet.

Në mesin e vitit do të nisë hartimi i Traktatit të Anëtarësimit, që përfaqëson një hap të madh politik dhe teknik, por jo ende anëtarësim faktik. Sfidat më të mëdha mbeten kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe zakonisht mbyllen të fundit.

SHARE