Tavë me Patate e Mbushur me Bërxolla Qengji

Përsa i përket mishit të kuq më të preferuarit në kuzhinën shqiptare janë padyshim dy, ai i viçit dhe i qengjit. I pasur me vitamina B12 dhe proteina, mishi i freskët i qengjit është një nga kënaqësitë më të mëdha të gatimit për shijen që jep.

Recetat janë të larmishme, dhe në AgroWeb.org, dashamirësit e gatimeve tradicionale kanë mësuar shumë mënyra gatimi dhe servirjeje të mishit të qengjit. Për një vakt të përzemërt dimëror, këtë herë AgroWeb.org sjell për ju një recetë tjetër fantastike.

Përbërësit

  • 2 lgj vaj ulliri
  • 6 bërxolla qengji
  • 1 presh
  • 2 thelpinj hudhre
  • 240ml lëng pule
  • 120g stafidhe
  • 1 lç rozmarinë
  • 750 gr patate
  • 50 g gjalpë i shkrirë
  • Piper i zi për shije
  • Perime jeshile sipas dëshirës

Përgatitja

Ngrohni fillimisht furrën në 170C. Ngrohni vajin në nxehtësi mesatare, në një tigan të madh. Skuqni bërxollat e qengjit dhe transferojini në një enë të cekët rezistente ndaj nxehtësisë së furrës. Në vajin e mbetur shtoni preshin dhe gatuajeni për 5 minuta në nxehtësi të ulët, derisa të zbutet.

Hidhni hudhrat e shtypura dhe gatuajeni masën duke e trazuar, për rreth 30 sekonda. Shtoni lëngun e pulës, stafidhet dhe rozmarinën, duke i përzier vazhdimisht. Lërini të vlojnë dhe hidhini sipër bërxollat. Mbulojeni me kapak ose letër alumini dhe piqni për 1 orë.

Pas kësaj kohe hiqeni nga furra dhe zbulojeni. Rriteni temperaturën e furrës në 200C. Shtroni sipër patatet e prera në feta dhe lyejini me gjalpë. Jepini shije me kripë dhe piper të zi dhe vendoseni tavën sërisht në furrë për 30 minuta. Shërbejeni me perime jeshile të ziera në avull. /AgroWeb.org

SHARE