Manifestimi tradicional Karnavalet, do të mbahen edhe këtij viti në muajin shkurt.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Tuzit Lindon Gjelaj me bashkëpunëtorë u takua me kryetarin e OJQ “Karnavali – Koret”, Arton Gjokaj me bashkëpunëtorë, si organizator të manifestimit.
Në takim u fol për organizimin e Karnavaleve të sivjetme në Malësi, që do të mbahen në bashkëpunim me Komunën e Tuzit.
Komuna e vlerëson lart organizimin e këtij manifestimi, para së gjithash, si traditë e mirëfilltë kulturore e trashëguar nga të parët tanë, e veçanërisht për faktin se, falë sukseseve të arritura në manifestime të deritashme, Shoqata “Karnavali – Koret” dhe qyteti i Tuzit janë anëtarë të plotë të Federatës Evropiane të Qyteteve të Karnavaleve (FECC).
Karnavali – Koret kanë një traditë 29 vjeçare dhe kjo OJQ gëzon status të privilegjuar për Komunën e Tuzit, e cila që nga viti 2019 është edhe sponsor gjeneral i manifestimit, ndërsa mjetet financiare për këtë manifestim janë të parapara me buxhetin e Komunës.