BLINKENI NË IZRAEL PËR TË ARDHMEN E GAZËS, DERISA BOMBARDIMET S’PO NDALEN

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbajti takime në Izrael të martën, në përpjekje për ta gjetur një plan për ta ardhmen e Rripit të Gazës pas luftës, derisa, në të njëjtën kohë, ushtria izraelite e vazhdoi luftën ajrore dhe tokësore në territorin e rrethuar.

Bombardime të ashpra dhe luftime të zjarrta i tronditën kampet e refugjatëve, duke i detyruar palestinezët të vuajnë për të gjetur strehim dhe duke i vështirësuar përpjekjet e grupeve humanitare për të dërguar ndihma te popullata.

Blinkeni mbërriti në Izrael pasi tha se kishte siguruar përkushtimin e katër vendeve arabe dhe të Turqisë për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës pas luftës, diçka për të cilën këto vende kishin ngurruar të zotoheshin pa ndërprerjen e luftimeve.

Por, SHBA-ja dhe Izraeli kanë mospajtime të thella për atë se si do të udhëhiqet Gaza kur – dhe nëse – udhëheqësit e tanishëm të Hamasit mposhten. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste.

Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje Autoritetit Palestinez, i cili i qeveris pjesët e uzurpuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor, ta qeverisë edhe Gazën, si dhe kanë bërë thirrje për bisedime për rifillimin e themelimit të një shteti palestinez.

Zyrtarët izraelitë nuk e pranojnë asnjërën nga këto.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë trysni Izraelit ta kufizojë ofensivën në Gazë në operacione më të sakta që kanë për cak vetëm Hamasin. Megjithatë, shkalla e vrasjeve dhe shkatërrimit ka vazhduar të jetë gati e njëjtë si gjatë tre muajve të ofensivës së saj, pas disa qindra palestinezë vriten brenda ditës, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë.

Izraeli është zotuar se do ta vazhdojë luftën derisa ta shkatërrojë Hamasin në gjithë territorin, si përgjigje ndaj sulmeve që pjesëtarët e tij i kryen në jug të Izraelit më 7 tetor, kur i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i morën peng rreth 250 të tjerë.

“Lufta do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2024”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Gjatë natës dhe mëngjesit të së martës, Izraeli e bombardoi me artileri kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.

Gati të gjithë banorët e Gazës prej 2.3 milionë janë zhvendosur nga shtëpitë e veta në luftë së paku një herë, dhe shumë prej tyre po zhvendosen sërish, shpesh duke u strehuar në tenda.

Më shumë se 23.000 palestinezë janë vrarë në Gazë gjatë ofensivës izraelite, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

SHARE