REAGIME TË ASHPRA PËR PRANINË E DY MINISTRAVE NË SHËNIMIN E DITËS ANTIKUSHTETUESE TË RS

Prania e dy ministrave qeveritar të Malit të Zi mbrëmë në akademinë solemne të shënimit të ditës antikushtetuese të Republika Sërpska (RS) në Banjallukë shkaktoi reagime. Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS), tha se prania e ministrit të drejtësisë dhe financave, në akademinë në Banjallukë është një tjetër konfirmim i karakterit antievropian të qeverisë së Dritan Abazoviqit. Deputeti i PDS-së, Millosh Nikoliq, deklaroi se “qeveria e Abazoviqit çdo ditë të funksionimit të saj kërcënon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi”. “Ky skandal i paprecedentë, të cilin nuk ia lejoi vetes as qeveria apostolike e Zdravko Krivokapiçit, është një goditje tjetër e rëndë për imazhin dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë, i cili rrezikon të komprometojë Malin e Zi si një partner të besueshëm rajonal”, theksoi Nikoliq në njoftim. Sipas tij, për këtë arsye është e nevojshme që sa më shpejt të zgjidhen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi. “Dhe, t’i jepet fund agonisë për të mbajtur sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas të cilave Mali i Zi do të ketë një qeveri stabile, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt Evropës, e cila do të rivendosë stabilitetin dhe do të vazhdojë ta udhëheqë vendin përmes integrimeve evropiane”, tha Nikoliq. Partia Liberale i bëri thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të kërkojë falje zyrtare qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe të distancohet nga akti skandaloz. “Si dhe të përpiqet të zbusë pasojat e skandalit, i cili shihet me dyshim nga i gjithë opinioni”, thuhet në njoftim. Partia Boshnjake dënoi ashpër praninë e dy ministrave në akademinë solemne në Banjallukë, duke e quajtur aktin e tillë “skandal ndërkombëtar”. Nga kjo parti, kujtuan se “në ditën e sotme ka filluar fushata shkatërruese dhe vrastare kundër shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, me qëllim të shfarosjes në radhë të parë të popullit boshnjak dhe shkatërrimit të të gjitha karakteristikave të tij”. “Prandaj ne pyesim publikisht Damjanoviqin dhe Kovaçin nëse kanë përfaqësuar Qeverinë e Malit të Zi duke marrë pjesë në akademinë solemne në Banjallukë, nëse kanë udhëtuar si zyrtarë të qeverisë dhe me shpenzimet e kujt”, thuhet në reagimin e Partisë Boshnjake. Prania e ministrave të Malit të Zi në takimin në Banjallukë u dënua edhe nga SDP dhe SD, kurse lidhur me rastin reagoi edhe kreu i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejziq. “Më vjen sinqerisht keq që ministrat e Qeverisë së Malit të Zi morën pjesë në tubimin me rastin e ‘Ditës së Republikës Sërpska’ në Banjallukë, me ftesë të Milorad Dodik, i cili, ndër të tjera, nderoi me urdhër Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin”, ka shkruar Fejziq në profilin e tij në Twitter. Qeveria e Malit të Zi njoftoi për Portalin e RTMZ se padyshim respekton tërësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës, duke mbështetur rrugën e saj evropiane dhe duke trashëguar marrëdhënie miqësore dhe fqinjësore të mira të bazuara në lidhjet tradicionalisht të forta ndërshtetërore, aspiratat e përbashkëta evropiane, bashkëpunimin ekonomik dhe lidhje të mëtejshme infrastrukturore. Të rikujtojmë se ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq tha për Nova M se ka marrë pjesë në ceremoninë në Banja Luka me rastin e Ditës së Republikës Srpska në emër të tij.

SHARE