Tri ditë të negociatave në mes të zyrtarëve ukrainas dhe atyre amerikanë në Majami kanë përfunduar me një atmosferë pozitive, mirëpo nuk kanë rezultuar me ndonjë arritje evidente, teksa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përgatitet për t’u takuar me liderët evropianë më 8 dhjetor për të diskutuar për paqe.
Disa orë pasi Zelensky ka thënë se ka pasur bisedë telefonike “shumë konstruktive” me ekipin negociator amerikan – të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – Rusia ka vazhduar me sulmet ajrore përgjatë natës në infrastrukturë jetike ukrainase, pavarësisht se kushtet klimatike po ashpërsohen.
Kryetari i qytetit qendror të Ukrainës, Kremençuk, qendër e rëndësishme industriale e vendit, ka thënë se zona është përballur me sulm “masiv” që ka shkaktuar probleme me rrymë dhe ujë.
Deri më tani nuk është raportuar për të vdekur.
Ndërkohë, sulmet ajrore ruse e kanë goditur edhe qytetin në lindje të Ukrainës, Slloviansk, duke plagosur shtatë persona.
Sulmet përgjatë natës kanë vazhduar, pavarësisht se janë intensifikuar përpjekjet për të negociuar përfundimin e luftës. Rusia ka thënë se i ka rrëzuar 77 dronë ukrainas në rajone të ndryshme përgjatë natës.
Pas bisedimeve në Florida, Zelensky ka thënë në Telegram se “Ukraina është e përkushtuar për të vazhduar punën e sinqertë me palën amerikane për të arritur paqen e vërtetë”, duke shtuar se palët janë pajtuar për hapat tjerë dhe formatin e bisedimeve, pa dhënë më shumë hollësi.
Zelensky do t’i takojë aleatët evropianë të hënën në Londër, për të diskutuar për procesin e paqes bashkë me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
“Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen tonë të palëkundshme. Kjo është e gjithë esenca e përpjekjeve që i kemi ndërmarrë në kuadër të Koalicionit të Vullnetit”, ka thënë Macron më 6 dhjetor.
Presidenti francez ka thënë se grupi do të bëjë një vlerësim të negociatave për paqe. Evropa ka qenë hezituese ndaj versioneve të para të një plani të amerikanëve për paqe, dhe ka tentuar të fitojë mbështetjen e Uashingtonit për propozimet e veta.
Macron, Merz, Starmer dhe Zelensky kanë marrë pjesë në një takim virtual rreth dy javë më parë, në të cilin i kanë diskutuar planet për të angazhuar një forcë paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, në rast të ndonjë armëpushimi.








