Komisionerja e zgjedhur për Zgjerimin, Marta Kos, ka marrë dritën jeshile në Bruksel, duke u mbështetur nga 59 anëtarë të Komitetit për Punët e Jashtme nga totali prej 79 anëtarësh, ndërkohë që për konfirmim i janë dashur vetëm 51 vota.
“Jemi besimplotë se zonja Kos do të angazhohet plotësisht për të punuar fort me shtetet kandidate për t’i orientuar që ato të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur reformat e kërkuara. Ajo do të bëjë gjithçka që negociatat me disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfundojnë brenda mandatit të saj në vitin 2029. Pas konfirmimit nga komisioni ynë, ajo ka vendosur që të vizitojë së bashku me eurodeputetët këto shtete”, tha kryetari i Komitetit të Jashtëm të PE, David McAllister.
“Përsa u përket çështjeve dy palëshe unë do të angazhohem plotësisht që ato të mos bëhen pengesë për procesin e integrimit. Çdo shtet vendos sesa shpejt do të ecë drejt anëtarësimit të plotë. Unë do të bëj gjithçka që t’i përshpejtoj këto procese, por do të varet edhe nga shtetet anëtare që sa të gatshme do të jenë ato për të pranuar në BE anëtarë të rinj”, u shpreh Komisionerja Kos.
Për zonjën Kos, Shqipëria mund të jetë gati në vitin 2027, ndërsa Mali i Zi në vitin 2026. I gjithë Komisioni i ri Evropian do t’i nënshtrohet një votimi në Parlamentin Evropian në fund të muajit nëntor, për të nisur më pas zyrtarisht punën.