KUVENDI MIRATON BUXHETIN FAKTIK 2023

Parlamenti miratoi vetëm me votat e mazhorancës buxhetin faktik të vitit 2023. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa 2 votat kundër ishin të përfaqësuesve të PDIU.

Në një diskutim që zgjati mbi 9 orë, pati debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Për demokratët, ai është buxheti i vjedhjes dhe varfërimit të shqiptarëve.

“Viti 2023 mbahet mend si ai vit ku rritja më e lartë e çmimeve i zhvlerësoi rrogat për herë të parë, pagat e administratës dhe pensionet i çoi me rënie reale. Qeveria shqiptare bëri një VKM ku çoi 80 mln Euro tek firmat kontraktore sepse rritja e çmimeve u rrit vetëm për betonin, nuk u rrit për pensionistët”, pyeti Jorida Tabaku.

Por pretendimet e opozitës u hodhën poshtë nga zv/kryeministria Balluku e cila tha se buxheti i vitit 2023 riktheu normalitetin ekonomik financiar pas tërmetit, pandemisë dhe krizës energjetike.

“Buxhetin e 2023 qytetarët do e mbajnë mend për rritjen e pagave, bumin turistik që arriti në 10 milionë turistë dhe të ardhurat në 4.2 mld lekë”, tha Balluku.

Ndërsa Ministri i Financave tha se ekonomia për shkak të rritjes pozitive dhe të qëndrueshme pritet të rimëkëmbet edhe më tej duke ulur borxhin edhe përgjatë vitit 2025.

“Buxheti i 2025 është më i madhi që ka njohur Shqipëria. Është buxhet që ka më shumë investime kapitale, ka alokuar fonde për çështjet sociale. Shqipëria është ndër vendet që shpenzon më tepër në rajon për çështjet sociale. Është buxhet që ul borxhin publik. Borxhi publik po shkon në 55.8 për qind”, tha Petrit Malaj.

Në Kuvend po diskutohet edhe projektbuxheti për vitin 2025 që sipas Ministrit Malaj është më i madhi në historinë e vendit.

SHARE