Deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) janë larguar nga seanca e Kuvendit ku zëvendëskryeministri Alleksa Beçiq po i përgjigjej pyetjeve parlamentare, pasi mendojnë se ai dhe ministri i Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq duhet të japin dorëheqje për shkak të situatës së sigurisë në vend.
Deputetja e PDS-së, Aleksandra Vukoviq Kuç tha se Beçiq dhe Sharanoviq kanë përgjegjësi morale dhe politike dhe obligim që të dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme nga postet qeveritare, sepse siç tha ajo, shteti po e humb betejën me krimin e organizuar dhe qytetarët ndihen të pasigurt dhe të pambrojtur.
“Nëse kriminelët mund të bëjnë një likuidim në kryqëzimin më të ngarkuar në Podgoricë në mes të ditës, të planifikojnë arratisjen e tyre dhe të zhduken pa lënë gjurmë, atëherë kjo është një tallje me shtetin dhe shërbimet e tij dhe mesazhi se krimi i organizuar nuk ka frikë nga shteti”, ka thënë Vukoviq Kuç.
Ajo tha se në Mal të Zi sot është gjendje e jashtëzakonshme, se janë të shqetësuar për sigurinë e qytetarëve, sigurinë e tyre personale dhe sigurinë e familjeve të tyre.