MILLATOVIQ: DO TË OFROJMË MUNDËSI QË FËMIJËT TË MOS JETOJNË NË VARFËRI

Festimi i 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ishte tema qendrore e ceremonisë së Ditës së Kombeve të Bashkuara të organizuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Mal të Zi, Peter Lundberg.

Millatoviq tha se të drejtat e njeriut janë baza e çdo shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe demokratike.

Ai vlerësoi se shteti ka bërë përparim të dukshëm në vlerësimin dhe promovimin e këtyre të drejtave, por se ende përballet me sfida në fushën e diskriminimit, dhunës dhe pabarazisë.

Ai posaçërisht theksoi temën e të drejtave dhe pozitës së fëmijëve në Mal të Zi.

“Në 75 vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dua të tërheq vëmendjen te familjet që nuk kanë mundësi të barabarta, ku fëmijët janë të ekspozuar ndaj varfërisë, dhunës dhe nuk kanë akses në arsim. Statistikat zyrtare thonë se pothuajse çdo e treti fëmijë në Mal të Zi jeton në varfëri dhe ky numër është edhe më i madh në familjet prej shumë anëtarësh dhe në rajone të caktuara të vendit tonë. Mesazhi im është i qartë: duhet t’i ofrohen mundësi të barabarta çdo fëmije që asnjëri prej tyre të mos jetojë në varfëri,“ tha Millatoviq.

Koordinatori rezident i OKB-së në Mal të Zi, Peter Lundberg, tha se “megjithë sulmet në rritje ndaj të drejtave të njeriut që po shohim, Deklarata Universale mund të jetë shpresa dhe udhërrëfyesi ynë kryesor në përpjekjet tona për të përballuar shkaqet dhe për të parandaluar që këto sfida të kthehen në diçka më e keqe, si konflikti dhe lufta”.

“Respektimi i Deklaratës dhe tridhjetë neneve të saj do të na ndihmojë të ndërtojmë shoqëri që janë gjithëpërfshirëse, në të cilat të gjithë njerëzit – pa diskriminim – kanë akses në mundësi të barabarta për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë”, përfundoi Lundberg.

SHARE