KURTI TAKON KANDIDATËT SHQIPTARË PËR DEPUTETË NË ZGJEDHJET E 17 DHJETORIT NË SERBI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në dy ditët e fundit në takim 6 nga shtatë kandidatët shqiptarë për deputetë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilët tashmë kanë publikuar kandidaturat e tyre.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti i falënderoi pjesëmarrësit Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Jonuzi, Naser Aziri dhe Armend Aliu për kontributin e tyre të deritanishëm dhe u dëshiroi sukses në zgjedhjet e radhës.

“U diskutua gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, diskriminimi që u bëhet atyre dhe asimetria me Kosovën, ku siç dihet, në Kosovë deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë dhjetë ulëset e rezervuara, ndërkaq në Luginë, shqiptarëve iu pasivizohen adresat dhe diskutohet nëse do të mund t’i arrijnë tre deputetë”, shkruan në njoftim.

Bëhet e ditur se ishte konstatim i përbashkët i palëve që një listë e përbashkët ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve. Në legjislativin e fundit, Shaip Kamberi nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, ishte deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, njoftuan për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjeve lokale në disa qytete dhe komuna. Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor 2023 dhe në krahina, derisa me shpalljen e zgjedhjeve të reja, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.

SHARE