KOMISIONI EVROPIAN REKOMANDON HAPJEN E NEGOCIATAVE ME UKRAINËN DHE MOLDAVINË

Komisioni Evropian ‘ndezi dritën jeshile’ për hapjen e procesit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendeve si Ukraina dhe Moldavia, një hap i parë ky i një procesi të gjatë dhe të vështirë.

Komisioni Evropian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen , prezantoi raportin e tij vjetor i cili do të diskutohet mes krerëve të 27 vendeve anëtarë në mbledhjen e Këshillit Evropian në dhjetor.

Gjithashtu në raport sugjerohet edhe dhënia e statusit ët vendit kandidat për Gjeorgjinë, me kushtin që kjo e fundit të ndërmarrë disa masa, mbi të gjitha për të mos anashkaluar sanksionet ndaj Rusisë. Ideja e zgjerimit të Bashkimit Evropian është rikthyer më e fortë se kurrë mes vendeve anëtarë, që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

Veçanërisht Franca dhe Holanda, të cilat kanë qenë shumë hezituese për këtë çështje, shohin se Perspektiva evropiane e Ukrainës, e Moldavisë, Gjeorgjisë dhe natyrisht shteteve të Ballkanit Perëndimor, është e nevojshme për të kundërshtuar kërcënimin e drejtpërdrejtë rus ose rritjen e ndikimit të Moskës në këto vende.

Megjithatë, rekomandimi i sotëm i Komisionit është vetëm fillimi, sepse negociatat pritet të zgjasin me vite si për Moldavinë ashtu edhe për Ukrainën dhe reformat politike dhe ekonomike që duhen bërë janë të shumta.

Këto dy shtete në thelb do të duhet të miratojnë të gjitha ligjet aktuale evropiane, pra 33 kapituj që përfshijnë çështje të tilla si sundimi i ligjit, konkurrenca, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimet financiare, etj.

SHARE