Kompanitë startup teknologjike janë të famshme për kolltukët për dremitje apo dhomat e pushimit që instalojnë nëpër ambientet e tyre për të tërhequr punonjësit e rinj në moshë.
Por shumica e njerëzve punojnë në zyra ku, nëse përpiqesh për të marrë një sy gjumë apo për të parë një ndeshje futbolli, do të thotë t’i thuash lamtumirë mundësisë për rritje në detyrë. Edhe ata që janë të vetëpunësuar apo punonjës në distancë, që nuk kanë një drejtues mbi kokë, e kanë të pamundur të bëjnë më shumë se një pushim dreke.
Por një zakon i tillë mund të dëmtojë shëndetin dhe rendimentin e punonjësve. Të dhënat më të fundit tregojnë se pushimet e shkurtra gjatë punës i bëjnë punonjësit më të lumtur dhe më të mirë në punën e tyre.closevolume_off
Një studim i fundit për punonjësit e call center zbuloi se pushimet e shkurtra për t’u qetësuar apo për t’u socializuar me kolegët rrit energjinë, entuziazmin dhe optimizmin e punonjësve, gjë që ndikon edhe në rritjen e përfitimeve të kompanisë.
“Pushimet e shkurtra nuk kishin efekt të drejtpërdrejtë në rritjen e rendimentit, por tërthorazi nëpërmjet ndikimit pozitiv në gjendjen emocionale të punonjësve”, thotë YoungAh Park, bashkautor i studimit dhe profesor në Universitetin e Ilinoisit. Një tjetër studim i fundit i kryer nga Park, tregonte lidhjen midis pushimeve të shkurtra dhe zvogëlimit të stresit, që si pasojë ulte nivelin e gjendjes emocionale negative në fund të ditës së punës.
Një pushim i shkurtër, thotë Park, është “një pushim i vogël i vullnetshëm që punonjësit mund ta bëjnë kur ta kenë të nevojshme”. Ai ndryshon nga një pushim dreke apo ndonjë lloj tjetër pushimi “formal” që ia autorizon një punëdhënës, thotë ajo.
Park nuk mund të thotë me siguri sa duhet të jetë kohëzgjatja ideale e një pushimi të shkurtër, apo sa shpesh duhet bërë, sepse studimet e saj nuk i kanë matur këta faktorë. Por ajo thotë se shumica e njerëzve e dinë se kur fillojnë të ndihen të rraskapitur apo të mbingarkuar. Kërkimi i saj tregon se gjatë kohës kur ndiheni të lodhur, nëse bëni një pushim të shkurtër për të biseduar me një koleg apo dëgjoni muzikë, do të keni rezultate më të mira sesa po të nguleni para tryezës së punës.
Kërkime të mëtejshme në lidhje me pushimet e shkurtra gjatë punës i kanë mbështetur këshillat e saj. Një studim në vitin 2016 nga Universiteti Baylor, zbuloi se pushimet gjatë ditës së punës rrisin energjinë, përqendrimin, motivimin dhe kënaqësinë në punë. “Gjithashtu zbuluam përfitime pozitive për shëndetin”, thotë Emily Hunter, autorja e parë e kërkimit dhe pedagoge në Fakultetin e Biznesit të Universitetit Baylor.
Njerëzit që bënin pushime të shpeshta kishin më pak dhembje koke, lodhje te sytë dhe dhembje shpine, thotë ajo.
Hunter i krahason pushimet e shkurtra me hidratimin e duhur. Po të pini sasi të vogla uji përgjatë ditës është më efikase sesa të pini menjëherë një sasi të madhe uji – apo akoma më keq, të mos pini fare.
Kërkime të Fakultetit të Biznesit të Harvardit kanë zbuluar se përveç rritjes së humorit dhe rendimentit, pushimet e shkurtra ndikojnë edhe në uljen e nivelit të rraskapitjes së punonjësve – një tjetër përfitim ky edhe për punëdhënësit.
Nga ana tjetër, pushimet shumë të shpeshta ose në kohë të papërshtatshme, mund të ulin rendimentin e punonjësve, paralajmëron studimi i Harvardit. Disa detyra kërkojnë përqendrim të thellë dhe të qëndrueshëm. Kërkuesit thonë se edhe çlodhje të shkurtra në mes të kryerjes së një detyre, mund të ulin e rendimentit deri në 50%.
Atëherë, si duhet të jetë një pushim i shkurtër?
Së pari, duhet të jetë i paplanifikuar dhe jozyrtar, thotë Hannes Zacher, një profesor i Universitetit Lajpcigut në Gjermani, i cili ka studiuar dobitë e pushimeve të shkurtra. Ai këshillon që pushimet të bëhen midis detyrave të punës – jo në mes – për të mos ndërprerë rrjedhën e punës dhe përqendrimin.
Një pushim i shkurtër mund të zgjasë nga disa sekonda në disa minuta, thotë ai, dhe duhet të përfshijë veprimtari të shëndetshme dhe çlodhëse.
“Zbuluam se nëse punonjësi del për shëtitje apo bisedon me kolegët, ka rezultate më pozitive në mirëqenien dhe motivimin e vet, sesa po të pijë duhan apo të bëjë një listë me plane”.
Çdo gjë e lidhur me punën duhet lënë pezull. Për sa i përket kontrollit të celularit apo lundrimit në internet, provat janë të përziera. “Kërkimi ynë tregon se rrjetet sociale, telefonatat apo mesazhet personale gjatë pushimeve, nuk kanë ndikime negative”. Por ai thotë se kjo ndryshon kur personi kontrollon celularin çdo pesë minuta apo kalon kohë të gjatë në rrjetet sociale.
“Do të këshilloja që njerëzit të merren me veprimtari fizike ose shoqërore, p.sh., të dalin për shëtitje ose të bisedojnë me një koleg, sepse këto kanë efekte më dobiprurëse”, thotë ai.
Për mirëqenien tuaj dhe mbarëvajtjen e biznesit, mund të jetë koha të mendoni për të përfshirë pushime të shkurtra në ditën tuaj të punës.