Foto: MAShI
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacioneve, Angjella Jakshiq-Stojanoviq, dhe drejtori i Drejtorisë së Policisë, Lazar Shqepanoviq, zhvilluan një takim me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Tema kryesore e takimit ishte luftimi i diplomave të falsifikuara dhe të rreme, me theks të veçantë në punën e Komisionit të parashikuar nga Ligji për njohjen e dokumenteve të huaja dhe barazimin e kualifikimeve, si dhe detyrat e tij për periudhën në vijim.
Gjithashtu, u shqyrtua raporti i realizuar nga Instituti për Arsim, që trajton angazhimin e rojeve të sigurisë në institucionet arsimore.
Po ashtu, është vendosur që në Akademinë e Policisë të organizohen trajnime shtesë për rojet, me fokus në punën dhe komunikimin me fëmijët dhe të rinjtë.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua masave parandaluese në shkolla, përmes organizimit të punëtorive dhe ligjëratave edukative nga ana e zyrtarëve të Policisë.
Temat do të përfshijnë: parandalimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve, sigurinë në internet dhe mbrojtjen nga rreziqet digjitale, si dhe ndërgjegjësimin për rreziqet nga abuzimi me drogat.
Për më tepër, bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë dhe Policisë do të thellohet përmes reformimit të programeve të arsimit të lartë në Akademinë e Policisë, për të përmirësuar cilësinë e edukimit policor dhe për ta përshtatur atë me sfidat moderne shoqërore dhe të sigurisë.