KRYEMINISTRI I LUKSEMBURGUT: BE DUHET TË VENDOSË PËR ANËTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË VITIN 2026

Foto: CDM

Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, në një fjalim në Parlamentin Evropian në Strasburg, kërkoi vendosjen e afateve më të qarta dhe më të shkurtra për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se vendimi për anëtarësimin e Malit të Zi duhet të merret në vitin 2026, duke dhënë kështu një mbështetje të paprecedentë për përparimin e vendit drejt BE-së. Frieden paralajmëroi se mbajtja e vendeve kandidate në “pritje të përhershme” mund të çojë në largimin e tyre nga rruga evropiane.

Ai kërkoi që procesi i zgjerimit të shihet si një instrument gjeopolitik dhe jo si një proces burokratik.

Deklarata e tij u vlerësua si befasuese nga Luxembourg Times, duke theksuar se asnjë lider tjetër evropian deri më tani nuk ka propozuar kaq hapur anëtarësimin e Malit të Zi në një datë kaq të afërt. Frieden gjithashtu propozoi rishikimin e mënyrës së vendimmarrjes brenda BE-së, duke rikthyer idenë e “rrethave koncentrikë evropianë”, që do të mundësonin nivele të ndryshme të integrimit për vendet pjesëmarrëse.

Ai nënvizoi nevojën për të mbrojtur vlerat themelore të Evropës si liria, demokracia dhe sundimi i ligjit, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po sfidohet më shumë se kurrë më parë.

Në fund, ai përshëndeti propozimet e Komisionit Evropian për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë së përbashkët evropiane, duke theksuar rëndësinë e diversitetit industrial të BE-së për t’u përballur me sfidat e sigurisë.

SHARE