Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Komisioni Kushtetues i Kuvendit do t’i propozojë parlamentit që Jovan Jovanoviq dhe Mirjana Radoviq të zgjidhen si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Ata morën shumicën e nevojshme të votave në seancën e sotme të komisionit, në të cilën opozita nuk mori pjesë. Përfaqësuesit e opozitës thanë se nuk duan të marrin pjesë në votim, pasi shumica parlamentare nuk ka zhvilluar dialog me ta për këtë çështje.
Deputeti i PDS-së, Andrija Nikoliq, deklaroi se Mali i Zi është në prag të një krize funksionaliteti dhe për këtë fajësoi shumicën parlamentare. Ai shtoi se bëhet fjalë për “tregti” politike dhe se opozita nuk do të japë legjitimitet një procesi të tillë antidemokratik.
Edhe deputeti i Socialdemokratëve, Boris Mugosha, kritikoi mungesën e konsultimeve me opozitën dhe tha se njëri nga kandidatët propozohet në vend të gjyqtares Dragana Gjuranoviq. Ai theksoi se ky veprim është mashtrim ndaj marrëveshjes për të cilën ka ndërmjetësuar edhe BE. S
ipas Mugoshës, zgjedhja e dy kandidatëve po bëhet me nxitim për shkak të vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 14 tetor.