GJYKATA KUSHTETUESE VENDOS, LISTA SERBE KA TË DREJTËN TË PROPOZOJË NËNKRYETARIN E KUVENDIT TË KOSOVËS NGA KOMUNITETI SERB

Gjykata Kushtetuese konstaton se grupi më i madh nga komuniteti serb duhet të propozojë kandidatin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij komuniteti.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”, është thënë në vendimin e plotë.

Gjykata ka thënë mes tjerash se “bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”.  

Kështu, Gjykata Kushtetuese obligon deputetët që brenda 12 ditëve të mbetura të kthehen në sallë e të marrin pjesë në procesin për zgjedhjen e nënkryetarit serb.

“Gjykata thekson se deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe votojnë për, kundër apo të abstenojnë për zgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit Serb, në frymën e detyrimit për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.

SHARE